Rama: Pa një botë të përbashkët nuk ka OKB, ne vendosim sot nëse ky shekull i përket lirisë së fjalës apo manipulimit
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij sot përpara liderëve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, foli mbi rëndësinë e një mirëkuptimi për Inteligjencën Artificiale.
Ai tha se janë vendet anëtare të OKB-së që do të vendosin nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit.
Sipas tij, fjala e lirë nuk duhet ngatërruar kurrsesi me manipulimin.
“Ky shekull i përket lirisë apo manipulimit, ne vendosim. Makina do të bindet, por kujt do t’i bindet? Shqipëria ka zgjedhur përshpejtimin, jo dorëzimin, kemi zgjedhur rritjen dhe jo atrofizimin, kemi zgjedhur lirinë e shprehjes. E dimë çdo të thotë të jetosh pa të, kemi zgjedhur të mos e ngatërrojmë me lirinë e pakontrolluar të makinave, parave e fuqive të huaja për të mbërritur gjithkund. Ne zgjedhim të vërtetën, jo se e vërteta është e lehtë, por pa angazhim të përbashkët ndaj realitetit nuk ka jetë të rehatshme. Pa këtë angazhim, do të përfshihemi në tradhtinë më të tmerrshme që prindërit e kësaj bote do të kenë bërë për fëmijët e tyre. Pa një botë të përbashkët nuk mund të ketë OKB. Këtu përfundon predikimi im në shkretëtirë”, tha Rama.




