Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke u ndalur te zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe ndikimi që ajo mund të ketë në shoqëri dhe në mënyrën se si perceptohet realiteti.
Rama tha se Shqipëria nuk është një vend që zhvillon modelet më të fundit të inteligjencës artificiale, por sipas tij, shqiptarët kanë përjetuar zhvillime që vende të tjera ende po i diskutojnë.
“Zoti President, të dashur përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, jam surprizuar shumë pozitivisht që shumë miq donin të dinin rreth asaj që po ndodh në vendin tonë me AI dhe mendova se do të ishte ide e mirë të ndaja me ju mendimet e mia”, u shpreh Rama.
Duke folur për ndikimin e teknologjisë, kryeministri e krahasoi Inteligjencën Artificiale me zhvillime të mëparshme që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzimi përballet me luftën dhe mbijetesën.
“Baruti ndryshoi betejat, fizioni bërthamor ndryshoi kuptimin e mbijetesës njerëzore, ndërsa AI po ndryshon diçka më intime, që mund të hyjë në mendjen e qytetarit, të fabrikojë një realitet, që të kalibrohet sipas frikërave të një personi dhe duke e bërë miliona e miliona herë”, deklaroi ai.
Rama tha se Shqipëria, edhe pse nuk është një prej vendeve që zhvillon modelet më të avancuara të AI, ka kaluar nëpër një realitet që sipas tij sot po diskutohet në vende të tjera.
“Shqipëria nuk është zhvilluese e modeleve të fundit, por jemi një komb që e kemi jetuar të ardhmen që të tjerët ende janë duke e debatuar”, tha kryeministri.
Sipas Ramës, një prej rreziqeve më të menjëhershme nuk lidhet vetëm me aftësinë e inteligjencës artificiale për të bindur njerëzit, por me mundësinë që ajo të përdoret nga aktorë me qëllime të gabuara.
“Mendoj që mesazhi që ju detyrohemi është tejet i thjeshtë, rreziku i menjëhershëm është që AI nuk do ndalet së binduri njerëzimit, por do t’i bindet njeriut të gabuar”, u shpreh ai.
Në vijim, Rama paralajmëroi për mundësinë që teknologjia të përdoret për të prodhuar dhe shpërndarë në shkallë të gjerë informacion të rremë, duke ndikuar te publiku dhe institucionet.
“Debati publik zgjon makina që zgjojnë ambicie dhe që kthehen kundër krijuesit dhe, në fakt, ai u shërben ambicieve të të tjerëve. Nuk mban flamur, por mund të përdoret nga një shtet. Mund të thotë miliarda gënjeshtra në emër të të tjerëve. Makineria nuk ka ndërgjegje, por mund të futet në ndërgjegjen e një qeverie, në precizionin e një arme”, tha Rama.

