Propozimi i PD për reformën zgjedhore, Bylykbashi në Vizion Plus: Lista të hapura edhe për këshillat bashkiakë
Pas kundërshtimit të vazhdueshëm ndaj propozimit të socialistëve për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 45, Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend draftin e saj për reformën territoriale, me propozimin për 100 bashki.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, duke folur në edicionin e lajmeve të Vizion Plus me gazetarin Aleksandër Furxhi, tha se propozimi i opozitës parashikon ruajtjen e 12 qarqeve ekzistuese.
“Ne propozojmë 100 bashki, ndërsa 12 qarqet mbeten ato që janë. Për ne, qarqet duhet të kenë fuqi kushtetuese, siç e përcakton Kushtetuta. Decentralizimi mund të jetë edhe asimetrik, nuk është e thënë që çdo bashki të ketë të gjitha kompetencat njësoj me të tjerat”, deklaroi Bylykbashi.
Sipas tij, ndarja e re territoriale duhet t’u përgjigjet nevojave të komuniteteve dhe të garantojë shërbime më pranë qytetarëve.
Bylykbashi foli edhe për reformën zgjedhore, duke bërë të ditur një tjetër propozim të PD-së: kalimin drejt një sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura.
Demokrati tha se, nëse modeli gjerman me elementin mazhoritar nuk do të pranohet, alternativa e propozuar është lista e hapur kombëtare.
“Lista e hapur kombëtare eventualisht të zbatohet edhe për këshillat bashkiakë, në mënyrë që zgjedhësit të zgjedhin deputetin apo këshilltarin që duan pa filtra në mes”, u shpreh Bylykbashi.
Bylykbashi tha gjithashtu se një nga prioritetet e opozitës në reformën zgjedhore është ndarja e shtetit nga partia në pushtet dhe vendosja e kufizimeve e sanksioneve për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë proceseve zgjedhore.
/vizionplus.tv



