BOTA /

Alarmi i Bill Gates për IA: E fuqishme për të shkaktuar ngjarje që çojnë në një miliard vdekje

Paralajmërimet e tij vijnë në një periudhë kur rreziqet e inteligjencës artificiale po diskutohen gjithnjë e më shumë nga shkencëtarë, qeveri dhe drejtues të kompanive të teknologjisë

Shkruar nga Versus

Alarmi i Bill Gates për IA: E fuqishme për të shkaktuar ngjarje

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka paralajmëruar për rreziqet e inteligjencës artificiale, duke deklaruar se teknologjia mund të përdoret për të shkaktuar ngjarje me pasoja katastrofike për njerëzimin.

Në një fragment të një interviste për emisionin “Meet the Press” të NBC News, Gates u pyet nëse inteligjenca artificiale është mjaftueshëm e fuqishme për t’i dhënë fund njerëzimit.

“IA është padyshim mjaftueshëm e fuqishme për të shkaktuar ngjarje që shkaktojnë një miliard vdekje”, u shpreh Gates.

Ai theksoi se rreziku bëhet edhe më i madh kur teknologjia e avancuar bie në duart e personave me qëllime të këqija.

“Nuk ka pasur kurrë një armë aq të fuqishme sa kombinimi i njerëzve me qëllime të liga që përdorin mjetet më të fundit të IA-së”, tha bashkëthemeluesi i Microsoft.

Gates komentoi edhe debatin mbi nevojën për të ngadalësuar zhvillimin e inteligjencës artificiale. Duke iu referuar propozimit të CEO-s së Anthropic, Dario Amodei, ai tha se kompanitë teknologjike nuk mund të mbështeten vetëm te vetërregullimi.

“Askush nuk mendon se vetërregullimi është i mjaftueshëm”, deklaroi Gates.

Paralajmërimet e tij vijnë në një periudhë kur rreziqet e inteligjencës artificiale po diskutohen gjithnjë e më shumë nga shkencëtarë, qeveri dhe drejtues të kompanive të teknologjisë.

Drejtues të kompanive të mëdha të IA-së, përfshirë Dario Amodei të Anthropic dhe Sam Altman të OpenAI, kanë folur publikisht për nevojën e masave të sigurisë dhe kontrollit të zhvillimit të teknologjisë.

Ndërkohë, studiues të IA-së kanë paralajmëruar për skenarë që përfshijnë keqpërdorimin e teknologjisë, sulmet kibernetike, dëmtimin e infrastrukturës kritike dhe përdorimin e saj në zhvillimin e armëve autonome.

Debati mbetet i hapur mbi mënyrën se si duhet të rregullohet inteligjenca artificiale, ndërsa kompanitë vijojnë të investojnë në zhvillimin e modeleve gjithnjë e më të fuqishme./Versus.al

Poll