
Dogana e Malit të Zi ka ndaluar në Portin e Tivarit një kontejner me mbi 24 tonë mish të ngrirë gjedhi, pasi produkti rezultoi me afat përdorimi të skaduar.
Sipas autoriteteve malazeze, ngarkesa ishte e destinuar për kompaninë “Apetit SHPK” në Kosovë dhe përmbante rreth 1.300 pako mish.
Nga kontrolli rezultoi se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj të këtij viti.
Pas zbulimit të ngarkesës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë bëri të ditur se kompania “Apetit” është nën masa të rrepta kontrolli që prej 18 shtatorit.
AUV deklaroi se ka nisur menjëherë një kontroll të detajuar dhe se kompania po mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Në kuadër të verifikimeve, është urdhëruar gjurmueshmëri e plotë e produkteve të importuara nga kompania, përfshirë kontrollin e dokumenteve të origjinës dhe importit, sasive të importuara e të shpërndara, si dhe destinacioneve të produkteve.
Autoritetet kanë marrë gjithashtu mostra për analiza laboratorike, ndërsa çdo ngarkesë e kompanisë po i nënshtrohet kontrolleve shtesë në kufi.
Paralelisht, inspektorati po verifikon sasitë e produkteve që ndodhen në depot e kompanisë dhe ato që mund të jenë shpërndarë në treg.
AUV ka bërë të ditur se informacionet e reja të marra nga autoritetet malazeze do të përfshihen në kontrollin që po vijon, ndërsa mbetet për t'u përcaktuar nëse ndonjë prej produkteve të skaduara ka hyrë në tregun e Kosovës./Versus.al

