Pritshmëritë në Kosovë ishin të larta që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta përmendte në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së situatën e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës.
Por kjo nuk ndodhi.
Në fjalimin e tij rreth 22-minutësh, Rama nuk përmendi as Kosovën, as UÇK-në dhe as Gjykatën Speciale.
Kjo ishte veçanërisht e dukshme për mediat e Kosovës, të cilat e kishin ngritur si pikëpyetje që para fjalimit nëse kryeministri shqiptar do të fliste për zhvillimet në Hagë.
‘Klan Kosova’ kishte titulluar: ‘Rama mban sot fjalim në AP të OKB-së: A do të flasë për UÇK-në?’, ndërsa ‘Telegrafi’ shkruante se pritej nëse Rama do ta përfshinte në fjalën e tij çështjen e liderëve të UÇK-së.
Në fund, fjalimi i Ramës u përqendrua kryesisht te inteligjenca artificiale, rreziqet që lidhen me të dhe nevoja për një marrëveshje ndërkombëtare për ‘AI sovrane dhe demokratike’. Në fjalën e tij ai foli gjithashtu për atë që e quajti ‘Revolucioni i Flamingove’.
Mediat e Prishtinës reaguan menjëherë pas fjalimit.
‘Kosova pa zë në OKB, Rama flet për inteligjencën artificiale’, ishte titulli i ‘Koha.net’.
Ndërsa ‘Kosovapress’ e titulloi lajmin: ‘Edi Rama nuk e përmendi në OKB dënimin e drejtuesve të UÇK-së’.
Edhe ‘Bota Sot’ vuri në fokus të njëjtin fakt, duke raportuar se Rama nuk e përmendi dënimin e ish-krerëve të UÇK-së gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme.
Mungesa e Kosovës dhe UÇK-së në fjalimin e Ramës bie në kontrast me qëndrimet e tij të mëparshme publike për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Në një aktivitet të mëhershëm, Rama kishte kritikuar ashpër qëndrimin e administratës së Joe Biden dhe SHBA-së ndaj Hashim Thaçit, duke deklaruar se ai ishte ‘tradhtuar’.
Por në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Rama kishte një mundësi për ta ngritur këtë çështje në një prej forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare, emri i Thaçit, UÇK-së apo Kosovës nuk u përmend në fjalimin e tij.
© SYRI.net