Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka reaguar ndaj disa protestuesve shqiptarë që kanë protestuar në New York, në një kohë kur kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Balla pretendon se ata janë paguar për të protestuar. Ndër të tjera Balla akuzon se bëhet fjalë për “persona me emra të ndryshuar dhe histori shtëpish bari”.
“Këto tre katër sorra që shfaqen kudo të njëjtët, njëri prej tyre një M.M. i njëjti edhe para dy vitesh në New York edhe në Londër, pastaj në Bulevard me ditë të tëra, janë persona me emra të ndryshuar dhe histori shtëpish bari. Nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët e amerikës, janë paguar për turpin e tyre për të ardhur këtu. Ndërsa Kryeministri Rama mbron në New York çlirimtarët dhe flet për Shqipërinë Europiane, këta i bëjnë hyzmetin atyre që i paguajnë. E thjeshtë prej kujt i marrin urdhërat. P.s. Shikojeni dhe reagimin e policisë amerikane, meqë kritikoni Policinë e Shtetit.”- thotë Balla.












