Pas mbajtjes së fjalimit në OKB, kryeministri i Shqipërisë është kritikuar gjerësisht se pse nuk i dedikoi disa rreshta Kosovës, konkretisht UÇK-së. Të shumtë kanë qenë personat që kanë kritikuar mungesën e fjalimit të dedikuar në OKB për Kosovën, duke qenë se vendimi për të dënuar çlirimtarët ka ngritur peshë shqiptarët. Mirëpo ka pasur dhe nga ata persona të cilët mosreagimin e Ramës në OKB për Kosovën, e kanë parë si të drejtë dhe të matur.
Ish-deputeti Kreshnik Çollaku, gjatë intervistës së tij për “Review”u shpreh se Rama u tregua i matur, ndërsa shtoi se nëse do të mbahej fjalimi do të ishin hapur plagë të panevojshme në një organizatë që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
“Unë jam shumë kritik me të, por mendoj që është veprimi matur diplomatik. Të flasësh në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk flet as në Tiranë, as në Prishtinë, madje as në Bruksel, madje as në Washington. Flet në organizmin që njeh ende rezolutën 12 44, sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Pra, nuk e njeh OKB-ja Kosovën shtet. Një rezolutë 12 44 ku KFOR-i, forcat ndërkombëtare NATO garantojnë, mbajnë paqen. Kanë një marrëveshje me shtetin, po flas siç është në ligj të asamblesë së OKB-së. Kanë marrëveshje të Kumanovës, 20-vjeçare që Serbia duhet të jetë larg territorit ushtarakisht të Kosovës, por zyrtarisht në OKB rezoluta 12 44 njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe ambienti që dominohet ose të paktën është paralelisht ose në 50% me rusë, kinezë, vende që nuk e njohin Kosovën, vendet që refuzojnë ta njohin Kosovën, do të kishte hapur një plagë të panevojshme.
E para. E dyta, Kosova është në një proces të rëndësishëm që tashmë mund të jetë bllokuar për këto zhvillimet, por është ka çështjet e hapura të njohjeve. Kosovën e njohin vetëm 121 vende. Ka rreth 100 të tjera të OKB-së që duhet t’i bindë ta njohin” tha ish-deputeti demokratik Kreshnik Çollaku.
Nga ana tjetër, Marko Kepi, presidenti i shoqatës “Rrënjët Shqiptare në Amerikë”, bëri me dije se i ftuar në mbrëmjen gala në New York ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por ky i fundit nuk mori pjesë. Kepi zbuloi se në vend të Kurtit i pranishëm ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili mbajti edhe një fjalim.
“Në mbrëmje ishte i ftuar zoti Kurti dhe nuk mori pjesë, po mori pjesë zotëri Konjufca në eventin dhe bëri dhe fjalimin në emër të Republikës së Kosovës. Mbajti fjalim dhe Vjosa Osmani, pra ish-presidentja e Kosovës. Ndërsa me sa kam parë vetë zoti Kurti në New York në këtë vizitë që ka bërë, që është shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët si zoti Rama, si Kurti, gjithë faktori politik shqiptar duhet të jenë bashkë, një grup me një plan për çështje kombëtare, po ndodh e kundërta” u shpreh Kepi për “Review”.

