Ariu futet në kopshtin e shtëpisë dhe lë të vdekur gruan, 7 viktima në Siberi vetëm gjatë shtatorit
Një grua 51-vjeçare humbi jetën pas sulmit nga një ari në kopshtin e shtëpisë së saj në fshatin Voznesenka, në rajonin e Krasnojarskut të Siberisë. Sipas autoriteteve, gruaja kishte parë ariun duke tentuar të hynte në një pjesë të rrethuar të kopshtit ku mbante kafshët shtëpiake. Ariu e sulmoi, ndërsa më pas u qëllua për vdekje nga një fqinj.
Ky është rasti i shtatë fatal nga sulmet e arinjve në rajonin e Krasnojarskut vetëm gjatë këtij muaji. Autoritetet kanë nisur një hetim penal ndaj shërbimit lokal të Ministrisë së Mjedisit, duke e akuzuar për neglizhencë në menaxhimin e popullsisë së arinjve dhe parandalimin e hyrjes së tyre në zonat e banuara.
Sipas prokurorëve, popullsia e arinjve të murrmë në rajon është rritur 2.5 herë, duke arritur në më shumë se 26 mijë kafshë. Banorët kanë raportuar mbi 120 raste të arinjve që janë shfaqur në zonat e banuara të rajonit.
Ekspertët fajësojnë për sulmet edhe kushtet klimatike. Një pranverë e hershme dhe e thatë ka shkaktuar mungesë të frutave të pyllit, duke i detyruar arinjtë të kërkojnë ushqim më pranë zonave ku jetojnë njerëzit. Në të njëjtën kohë, mbetjet ushqimore të lëna jashtë dhe shkelja e rregullave të sigurisë konsiderohen faktorë që tërheqin kafshët.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin pyjet dhe të shtyjnë aktivitetet si mbledhja e kërpudhave dhe frutave të pyllit. Vetëm këtë muaj, viktima të sulmeve kanë qenë edhe një druvar 39-vjeçar dhe dy gra që kishin dalë për të mbledhur kërpudha.
Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në rajone të tjera të Siberisë. Në një rast në gusht, një ari sulmoi dy turistë në çadrën e tyre në rajonin e Altait, duke vrarë një grua 29-vjeçare. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit ka deklaruar se në Rusi regjistrohen zakonisht 20 deri në 30 sulme të arinjve në vit, duke theksuar se përhapja e shpejtë e pamjeve dhe informacioneve në rrjetet sociale mund të krijojë përshtypjen e një rritjeje më të madhe të fenomenit.




