Gucci ka nisur të shesë modele të reja atletesh luksoze me etiketën “Made in China”, duke bërë një ndryshim të pazakontë nga tradita e markës për prodhimin në Itali. Vendimi vjen në një periudhë kur shtëpia e modës po përpiqet të rikthejë klientët e klasës së mesme dhe të kontrollojë kostot, ndërsa përballet me një rënie të ndjeshme të shitjeve. Sipas Reuters, shitjet e Gucci-t janë përgjysmuar gjatë tre viteve të fundit, duke detyruar grupin Kering të mbyllë dhjetëra dyqane.
Në qendër të strategjisë së re është stilisti Demna, i cili do të prezantojë koleksionin e tij të fundit në Milano. Suksesi i tij konsiderohet i rëndësishëm për Gucci-n dhe grupin Kering, teksa kompania po përpiqet të rikthejë markën në një trajektore rritjeje. Një nga modelet e reja është “Drip”, modeli i parë i atleteve të krijuar nga Demna për Gucci-n. Atleteve, të përshkruara si futuriste dhe pa lidhëse, u është vendosur etiketa “Made in China”, siç tregohet në faqen zyrtare të Gucci-t.
Modeli është parë edhe në një dyqan Gucci në Paris dhe kushton rreth 800 euro në Europë dhe 1,000 dollarë në Shtetet e Bashkuara. Atletet janë të prodhuara me materiale të ndryshme, përfshirë najlonin, kanavacën dhe kamoshin. Dizajni i tyre ndryshon ndjeshëm nga modelet tradicionale të markës, si atletet e bardha prej lëkure “Ace”. Edhe një model i dytë slip-on, i prodhuar prej lëkure dhe pjesë e të njëjtit koleksion, mban etiketën “Made in China”. Gucci ka argumentuar se zgjedhja e prodhuesit kinez lidhet me kërkesat teknike të këtyre modeleve.
“Italia do të jetë gjithmonë në zemër të modelit dhe identitetit të prodhimit të Gucci-t”, deklaroi kompania, duke shtuar se vendosi të bashkëpunojë me prodhuesin kinez për shkak të “njohurive teknologjike dhe kapaciteteve” që, sipas saj, ishin më të përshtatshme për të arritur standardet e kërkuara të performancës dhe cilësisë. Një zëdhënës i Gucci-t tha gjithashtu se nuk ka plane më të gjera për zhvendosjen e prodhimit jashtë Italisë.
Kina është një prej qendrave kryesore botërore të prodhimit të atleteve dhe prodhuesit kinezë kanë krijuar reputacion edhe në segmentin premium. Megjithatë, analistë të industrisë kanë paralajmëruar se për Gucci-n ndryshimi i origjinës së prodhimit mund të krijojë probleme me perceptimin e markës. Analistët e Berenberg e përshkruan situatën si një tension të mundshëm mes origjinës së produktit dhe pozicionimit luksoz që Gucci po përpiqet të rikthejë. Konsulenti i industrisë së luksit, Simon Whitehouse, ishte edhe më i drejtpërdrejtë. “Made in China nuk është një pamje e mire”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, sipas dy burimeve të Kering të cituara nga Reuters, Gucci ka nisur të ulë çmimet e disa produkteve, përfshirë edhe në Kinë, në përpjekje për të rifituar pjesë të tregut. Analistja e Barclays, Carole Madjo, tha se uljet e çmimeve kanë habitur disa investitorë dhe se tani vëmendja është përqendruar te vendimet që mund të ndikojnë imazhin e Gucci-t. “Disa njerëz po pyesin: ‘A duhet të vazhdojmë të blejmë Gucci nëse çmimi po ulet?’”, tha Madjo.