AKTUALITET /

Të shtëna drejt një kafeneje në Athinë, plagoset vajza 10-vjeçare shqiptare

Katër autorë hapën zjarr nga një makinë në Agorakritou, automjeti u gjet i djegur në Aspropyrgos – Vajza u dërgua nga nëna e saj në Spitalin e Fëmijëve

Shkruar nga Versus

Të shtëna drejt një kafeneje në Athinë, plagoset vajza

Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur nga të shtënat drejt një kafeneje në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, mbrëmjen e së premtes, 25 shtator.

Sipas medias helene Proto Thema, rreth orës 23:50, një automjet me katër persona kaloi pranë lokalit në rrugën Agorakritou dhe nga brenda tij u qëllua drejt fasadës së kafenesë. Vajza ndodhej në lokal në atë moment.

E mitura, vajza e pronarit të kafenesë, u plagos në pulpën e këmbës së majtë.

Nëna e dërgoi në spitalin e fëmijëve, ndërsa sipas të dhënave të deritanishme, jeta e saj nuk është në rrezik.

Ende nuk është sqaruar nëse plagën e shkaktoi një plumb apo një fragment.

Autorët u larguan pas sulmit. Automjeti që dyshohet se përdorën u gjet më vonë i djegur në zonën e Aspropyrgos. Policia greke po heton për identifikimin e tyre dhe motivin e sulmit./Versus.al

Poll