
Pas gati tre vitesh pa një ambasador të konfirmuar në Tiranë, Shtetet e Bashkuara nisin një kapitull të ri të përfaqësimit diplomatik në Shqipëri. Eric Wendt pritet të dorëzojë sot, në orën 11:00, letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj. Pas ceremonisë është parashikuar një takim mes tyre.
Wendt pason Yuri Kim, e cila përfundoi misionin në vitin 2023.
Gjatë kësaj periudhe, ambasada amerikane është drejtuar nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn.
Ambasadori i ri vjen nga një karrierë mbi 34-vjeçare në ushtrinë amerikane, përfshirë shërbimin në Forcat Speciale dhe drejtimin e strukturës së operacioneve speciale të NATO-s.
Në dëgjesën përpara Senatit, Wendt përmendi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si edhe bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri kibernetike, ndër përparësitë e mandatit të tij.
Ai shprehu mbështetje për punën e SPAK, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucionit nga ndikimet politike dhe kriminale.
Më 2 tetor është planifikuar pritja e tij zyrtare në Tiranë./Versus.al

