Breshëri plumbash ndaj lokalit të shqiptarit në Athinë, plagoset vajza e tij e mitur! Gjendet e djegur makina e autorëve
Të shtëna me armë zjarri u regjistruan pak pas mesnatës në një lagje të Athinës, ku shënjestër ishte një lokal. Nga të shtënat mbeti e plagosur një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila ndodhej brenda ambienteve të lokalit në momentin e incidentit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50, në rrugën Agorakritou 32. Sipas informacioneve paraprake, persona të paidentifikuar që udhëtonin me një automjet kaluan përpara kafenesë “Amora” dhe qëlluan me armë në drejtim të fasadës së saj.

Nga të shtënat, vajza 10-vjeçare, e cila është e bija e pronarit të lokalit, u plagos në këmbën e majtë, në pjesën e pulpës. Ajo u transportua menjëherë në Spitalin e Fëmijëve nga nëna e saj.
Në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodheshin rreth 10 persona, të gjithë shtetas të huaj.
Automjeti i autorëve u gjet i djegur
Sipas të dhënave të para, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan nga brenda makinës dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Pak kohë më vonë, automjeti që dyshohet se është përdorur në sulm u gjet i djegur.
Ende nuk është përcaktuar nëse 10-vjeçarja është plagosur nga një plumb apo nga një copëz e shkaktuar nga të shtënat. Policia po heton të gjitha provat për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të sulmit.

Sipas informacioneve të deritanishme, gjendja e vajzës nuk paraqet rrezik për jetën. Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.




