Kombëtarja shqiptare mbylli të premten përgatitjet dhe është gati për sfidën e parë në Ligën e Kombeve, që luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin Air Albania kundër Bjellorusisë.

Atmosfera duket pozitive te kuqezinjtë, me lajmin e mirë që vjen nga Asllani i cili ka lënë pas dëmtimin, i cili pritet në formacion sonte. Portën do ta mbrojë Etrit Berisha, në mbrojtje do të luajnë Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Pilo. Përveç Asllanit edhe Ramadani pritet në mesin e fushës, ndërsa në repartin e sulmit do të kemi ‘popullim’ dhe pritet që nga minuta e parë të luajnë Hoxha, Seferi, Muçi dhe Manaj. Për sfidën me Bjellorusinë, Maran ka lënë në tribunë Luis Hasën, Sabah Kerjotën dhe portierin Simon Simoni.

Në prag të takimit trajneri Rolando Maran tha se shikon shumë dëshirë te kuqezinjtë në këtë grumbullim të parë.

“Kam parë dëshirë për të punuar dhe për të gjetur stimujt e duhur përtej kundërshtarit. Për mua kjo është gjëja më e rëndësishme, që të përqendroheshim te cilësitë tona. Kam parë diçka ndryshe këto ditë dhe dëshirë të madhe për të provuar, por edhe për të gabuar. Gabuar në aspektin që të përmirësohemi në të ardhmen", tha Maran. 

Sfidën kundër Bjellorusisë Maran e konsideroi si nisjen zyrtare të aventurës me Shqipërinë, duke lënë pas dy humbjet në miqësore gjatë qershorit. Në total kuqezinjtë kanë 5 humbje radhazi. Ndryshe nga Bjellorusia që pasi preku fundin me trajnerin e ri nuk njeh humbje në 2026. Në 4 ndeshje ka 1 barazim dhe 3 fitore.

“Bjellorusia vjen nga një periudhë e mire. Ka bërë rezultat në 6 ndeshje radhazi dhe kjo do të thotë diçka. Për ne duhet të jetë stimul përtej emrit që ka kundërshtari", vijoi Maran.

Kapiteni Berat Gjimshiti saktësoi se objektivi në këtë Ligë Kombesh është vendi i parë në grup.

“Ke njëlloj presioni, sepse të gjithë kanë pretendime për vendin e parë. Të gjithë e kemi, edhe unë vetë jam një lojtar që kërkoj maksimumin. Nuk e kishim këtë fat ndaj Polonisë. Do të ishte një arritje e madhe, por duam të përsërisim Evropianin për herë të tretë", tha Maran. 

Shqipëri-Bjellorusi do të arbitrohet nga gjyqtarë anglez të Premier League, me kryesor Sam Barrott. 3 ditë pas këtij dueli do të jetë sfida e dytë në Ligën e Kombeve kundër San Marinos në transfertë, e më pas më 3 tetor ndaj Finlandës dhe më 6 tetor sërish ndaj San Marinos në Tiranë.