Aktualitet Travel

“Time Out”: Riviera Shqiptare, zgjedhja ideale për pushime në bregdet edhe në dimër!

Riviera Shqiptare renditet mes destinacioneve evropiane të rekomanduara për të shijuar diellin dhe motin e ngrohtë gjatë muajve të dimrit, me temperatura prej 13°C në dhjetor dhe 14°C në janar.

Në një artikull të botuar nga “Time Out”, autorët Anya Ryan dhe Liv Kelly e rendisin bregdetin jugor të Shqipërisë ndër destinacionet evropiane ku dimri sjell më pak vizitorë, më shumë qetësi dhe mundësi për të shijuar disa ditë pranë detit.

Destinacionet evropiane që ofrojnë temperatura më të buta gjatë dimrit, mund të jenë një alternativë ideale për ata që kërkojnë të shijojnë diellin dhe motin e ngrohtë edhe në muajt dhjetor dhe janar.

Vera e këtij viti në Britaninë e Madhe, e cilësuar si më e nxehta e regjistruar ndonjëherë, për shumë njerëz nuk u shoqërua me mundësinë për të shijuar pushimet në plazh, ndërsa me afrimin e vjeshtës shumë prej tyre ende nuk kanë patur rastin të përdorin aksesorët e plazhit.

Ardhja e dimrit nuk nënkupton domosdoshmërisht temperatura të ulëta në disa prej destinacioneve të njohura turistike të Evropës. Në disa zona, temperaturat mbeten mbi 10 gradë Celsius, ndërsa numri i vizitorëve është dukshëm më i ulët krahasuar me muajt e verës.

Artikulli thekson se në disa prej këtyre destinacioneve, kushtet atmosferike mund të jenë të përshtatshme edhe për shëtitje në natyrë me veshje të lehta, duke përmendur si shembuj Siçilinë dhe Costa del Sol.

Cili është destinacioni më i ngrohtë në Evropë gjatë dimrit?

Artikulli i “Time Out” ka renditur 13 destinacione evropiane me mot të ngrohtë gjatë sezonit dimëror ku përfshihen, Ishujt Kanarie, Riviera e Budvës, Siçilia, Dubrovniku, Riviera Shqiptare, Madeira, Qipro, Malta, Rodos, Kadizi, Algarve, Costa del Sol dhe Lampedusa.

Riviera Shqiptare

Temperatura mesatare në dhjetor: 13°C

Temperatura mesatare në janar: 14°C

Pjesa jugore e bregdetit shqiptar vlerësohet si një destinacion shumë i përshtatshëm, për të kaluar disa ditë pranë detit gjatë dimrit.

Zonat bregdetare si Saranda e Himara paraqiten edhe më tërheqëse në mungesë të fluksit të turistëve gjatë verës, ndërsa çmimet, që tashmë janë të përballueshme, ulen edhe më tej gjatë muajve të dimrit, pasi shumë biznese mbyllen gjatë kësaj periudhe të vitit.

Për turistët që kërkojnë qetësi dhe një mjedis më të izoluar, të shoqëruar me motin e ngrohtë që ende mundëson përdorimin e syzeve të diellit, Riviera Shqiptare paraqitet si zgjedhje shumë e përshtatshme.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.