
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nis sot zyrtarisht detyrën si Ambasador i SHBA në Shqipëri.
Ditën e sotme Wendt do të dorëzojë te Presidenti Bajram Begaj letrat kredenciale. Ceremonia pritet të zhvillohet në orën 11:00
Pas ceremonisë Wendt do të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Në ditët në vijim, ambasadori i ri amerikan pritet të prezantohet edhe me përfaqësues të politikës dhe medias shqiptare, në një ceremoni që Ambasada e SHBA-ve do të organizojë të premten, më 2 tetor.
Rreth dy muaj më parë pas konfirmimit të tij si ambasador, ambasada amerikane u shpreh se Wendt do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.
Diplomati amerikan vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, me më shumë se tri dekada shërbim në ushtrinë e SHBA-së.
Ai ka qenë pjesë e forcave speciale "Green Beret", ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, duke mbajtur role kyçe në disa nga misionet më të rëndësishme të aleancës dhe të ushtrisë amerikane.