Rolando Maran e nis sot zyrtarisht aventurën në stolin e Kombëtares shqiptare. Kuqezinjtë përballen me Bjellorusinë në “Air Albania”, në orën 20:45, në sfidën e parë të Ligës së Kombeve.
Pas ditëve të përgatitjeve, Maran ka krijuar idetë e tij për skuadrën që do të zbresë në fushë, por ka preferuar të mos zbulojë formacionin.
“Është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë dhe kjo më stimulon më shumë”, u shpreh trajneri italian, duke folur për nisjen e aventurës së tij me kuqezinjtë.
Përballë Shqipërisë do të jetë një Bjellorusi që vjen në Tiranë me një seri prej gjashtë ndeshjesh pa humbje, çka e bën sfidën edhe më të rëndësishme për skuadrën kuqezi.Kapiteni Berat Gjimshiti ka bërë të qartë objektivin e Kombëtares, duke e lidhur atë edhe me ambicien për të siguruar një tjetër pjesëmarrje në Kampionatin Europian.
“Duam vendin e parë, të kemi mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi dhe kjo është rruga e duhur”, deklaroi Gjimshiti.
Maran do ta nisë ndeshjen me disa mungesa. Në tribunë do të qëndrojnë Adrion Pajaziti, Luis Hasa, Sabah Kerjota dhe portieri Simon Simoni. Ndërkohë, Qazim Laçi nuk do të jetë i gatshëm për shkak të dëmtimit të pësuar një ditë para sfidës.
Lajmi pozitiv për teknikun italian është rikuperimi i Kristjan Asllanit, ndërsa në këtë grumbullim mungojnë gjithashtu Armando Broja, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani.
Një tjetër emër që rikthehet në përfaqësuese është Etrit Berisha, i cili pas dy vitesh është sërish pjesë e Kombëtares.
Pas përballjes me Bjellorusinë, Shqipëria do të ketë edhe tri sfida të tjera në këtë edicion të Ligës së Kombeve: më 29 shtator ndaj San Marinos, më 3 tetor ndaj Finlandës dhe më 6 tetor sërish ndaj San Marinos.
Lista e lojtarëve të grumbulluar
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Simon Simoni.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj, Ivan Balliu.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi, Sabah Kerjota.
Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni, Cristian Shpendi.












