Policia e Shtetit ka hartuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Për shkak të fluksit të tifozëve dhe lëvizjes së mjeteve rreth stadiumit, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit në disa prej akseve kryesore pranë impiantit sportiv.
Bllokimet do të aplikohen në këto rrugë:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e fast food “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, në kryqëzimin pranë RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
- Rruga “Ismail Qemali”, në kryqëzimin e RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si korridor hyrës për parkimin e mjeteve të autorizuara nga FSHF;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit me “Librin Universitar”.
Ndërkohë, në sheshin “Wilson”, lëvizja do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes.
Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të hapura për qarkullimin e mjeteve.
Krahas menaxhimit të trafikut, masat e sigurisë do të shtrihen edhe në hyrjet e stadiumit. Tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve para futjes në impiant, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme apo të ndaluara.
Në stadium nuk do të lejohet futja e fishekzjarrëve, flakadanëve dhe lëndëve piroteknike, banderolave me përmbajtje raciste, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, si dhe sendeve të tjera që mund të përbëjnë rrezik për pjesëmarrësit.
Policia u kërkon tifozëve që të paraqiten në stadium duke nisur nga ora 18:30, për të shmangur radhët dhe vonesat në hyrje për shkak të fluksit të madh para nisjes së takimit.
Për garantimin e sigurisë gjatë aktivitetit, në terren do të angazhohen qindra punonjës policie, të cilët do të monitorojnë situatën para, gjatë dhe pas ndeshjes, si dhe do t’u ofrojnë tifozëve ndihmë dhe informacion në rast nevoje.













