Arrestohet në Rinas 53-vjeçari ukrainas, kërkohej nga autoritetet e Kievit për trafik droge
Një 53-vjeçar ukrainas, i shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit për trafik të lëndëve narkotike, është arrestuar nga Policia e Shtetit në aeroportin e Rinasit.
Sipas Policisë, A. S. u arrestua në momentin që zbriti në aeroport. Ai dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni u krye nga Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.
Policia e Shtetit njofton se po vijon bashkëpunimin me agjencitë partnere lidhur me rastin dhe me rolin e 53-vjeçarit në organizatën kriminale.
Ndërkohë, Interpol Tirana po punon me homologët ukrainas për nisjen e procedurave të ekstradimit të tij drejt Ukrainës.




