Një 53-vjeçar ukrainas i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kievit për trafik të lëndëve narkotike dhe si pjesë e një organizate kriminale, është arrestuar në aeroportin e Rinasit.

Arrestimi u krye pas shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe Njësisë së Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Blutë bëjnë me dije se në pranga ra shtetasi Anatolii Streletskyi.

Njoftimi i Policisë:

Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në sajë të shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, arrestuan shtetasin:

S., 53 vjeç, shtetas ukrainas.

Ky shtetas u arrestua nga shërbimet e Policisë, në momentin që zbriti në aeroportin e Rinasit.

Shtetasi ukrainas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, për trafik të lëndëve narkotike, si pjesë e një organizate kriminale.

Policia e Shtetit po punon me agjencitë partnere lidhur me këtë anëtar të organizatës kriminale, si dhe Interpol Tirana po punon për fillimin e procedurave të ekstradimit me homologët ukrainas.

Edhe njëherë, Policia e Shtetit falënderon agjencitë partnere për bashkëpunimin e vazhdueshëm në Shqipëri.

Top Channel