Nga copëtimi te kriminalizmi/ Një shekull narrativë ndaj shqiptarëve

Nga copëtimi te kriminalizmi/ Një shekull narrativë ndaj shqiptarëve

09:18, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Shkëlqim Berisha 

Për më shumë se një shekull, shqiptarët janë përballur me një narrativë që i paraqet si popull të dhunshëm, të prirur drejt kriminalitetit dhe të paaftë për të ndërtuar shtet.

Kjo nuk ishte vetëm një fyerje kulturore. Ajo u përdor si instrument politik për të kundërshtuar bashkimin e trojeve shqiptare dhe për të arsyetuar vendimet që lanë jashtë kufijve të Shqipërisë një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare.

Copëtimi i trojeve shqiptare nuk erdhi vetëm prej kësaj propagande. Ai ishte rezultat i interesave të Fuqive të Mëdha, pushtimeve ushtarake dhe ambicieve territoriale të shteteve fqinje. Por portretizimi i shqiptarëve si një popull “pa aftësi shtetformuese” ndihmoi që padrejtësia të paraqitej si një zgjidhje e pranueshme diplomatike.

Kur një narrativë përsëritet për më shumë se një shekull dhe prodhon pasoja diplomatike, territoriale e institucionale, ajo pushon së qeni vetëm paragjykim dhe shndërrohet në projekt politik.

Sot, kjo narrativë duket se ka arritur një nga pikat e saj më të larta. Ajo nuk shfaqet më me gjuhën e vjetër të fillimshekullit XX. Tani përdor fjalët: korrupsion, krim i organizuar, shtet i kapur dhe elitë e kriminalizuar.

KOSOVA. NGA ALEATËT E LUFTËS TE TË AKUZUARIT E PAQES

Kosova është shembulli më i dhimbshëm i këtij transformimi.

Gjatë luftës, udhëheqësit e UÇK-së u pranuan si partnerë të Perëndimit. Ata morën pjesë në Rambuje, bashkëpunuan me NATO-n dhe drejtuan procesin politik që çoi në shpalljen e pavarësisë.

Për vite të tëra, këta njerëz u pritën në Uashington dhe në kryeqytetet europiane si përfaqësues legjitimë të Kosovës. Më pas, nën trysni të fuqishme ndërkombëtare, vetë Kosova u detyrua të krijonte një gjykatë të posaçme, të lidhur kryesisht me pretendimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Formalisht u gjykuan individë. Politikisht, në bankën e të akuzuarve u vendos pothuajse e gjithë udhëheqja historike e luftës dhe e shtetformimit të Kosovës.

Serbia ishte shteti që zhvilloi luftën dhe aparati i saj shtetëror kreu dhunën kryesore ndaj shqiptarëve. Megjithatë, sot është udhëheqja shqiptare e rezistencës ajo që shfaqet në mënyrë të përqendruar përpara drejtësisë ndërkombëtare.

Kjo nuk e mohon përgjegjësinë individuale për çdo krim të provuar. Por ngre një pyetje të pashmangshme: përse drejtësia ndaj shqiptarëve u institucionalizua në një mekanizëm të posaçëm, ndërsa përgjegjësia shtetërore dhe politike e Serbisë nuk prodhoi një proces të ngjashëm bashkëkohor ndaj elitës që trashëgoi atë sistem?

SHQIPËRIA. NGA TOLERIMI TE KRIMINALIZIMI

Në Shqipëri, fenomeni mori një formë tjetër.

Për vite me radhë, qeveria shqiptare u trajtua si garantuese e stabilitetit, integrimit europian dhe orientimit properëndimor. Në emër të këtyre prioriteteve u toleruan përqendrimi i pushtetit, dobësimi i institucioneve, klientelizmi dhe lidhjet gjithnjë e më të dyshimta ndërmjet politikës dhe interesave ekonomike.

Ndërkombëtarët nuk i detyruan politikanët shqiptarë të kryenin shkelje. Por toleranca e tyre ndihmoi në krijimin e një mjedisi ku mungonin kufijtë, kontrolli dhe përgjegjësia.

Sot shohim ish-zëvendëskryeministra, ministra, drejtues institucionesh, kryetarë bashkish dhe njerëz të konsideruar si pasardhës të mundshëm politikë të përfshirë në procese penale.

Modeli është gjithnjë i njëjti: zëvendëskryeministra, drejtues të shërbimeve sekrete, kryebashkiakë, ministra, të gjithë kalojnë përpara drejtësisë; disa dënohen, disa arratisen. Drejtësia zbret deri aty ku fillon pushteti qendror dhe ndalet pikërisht atje.

Drejtësia duhet ta bëjë detyrën e saj. Por pyetja mbetet: ku ishin partnerët ndërkombëtarë kur ky sistem po ndërtohej? Përse për kaq shumë vite stabiliteti i një qeverie u vlerësua më shumë sesa shëndeti i institucioneve shqiptare?

Fillimisht u tolerua deformimi. Sot po ndëshkohet pasoja. Ndërsa përgjegjësia për gjithçka po u mbetet vetëm shqiptarëve.

Kjo nuk është thjesht debat abstrakt drejtësie. Është edhe arsye pse gati një e treta e shqiptarëve ka braktisur vendin pa ndodhur luftë, jo vetëm për shkak të varfërisë, por edhe për shkak të rraskapitjes qytetare: shpresa se sistemi ndryshon u zëvendësua nga bindja se vetëm fytyrat ndryshojnë.

SERBIA. SHTETI QË DUHET MBAJTUR PRANË

Serbia ka korrupsion, kapje të institucioneve, presion mbi mediat dhe lidhje të politikës me struktura të dyshimta. Megjithatë, ajo nuk po përjeton të njëjtin çmontim të elitës politike.

Shembulli më domethënës i këtij standardi është vetë Aleksandar Vuçiçi. Gjatë luftës së Kosovës, ai ishte ministër i Informacionit në qeverinë serbe nën regjimin e Slobodan Millosheviçit, në një periudhë kur mediat e pavarura censuroheshin dhe propaganda shtetërore shoqëronte dhunën e aparatit serb. Megjithatë, kjo trashëgimi politike nuk e pengoi të riciklohej fillimisht si reformator, më pas si kryeministër e president dhe, në fund, si bashkëbiseduesi i domosdoshëm i Perëndimit.

Kontrasti është i fortë: udhëheqësit e UÇK-së kaluan nga partnerë të Perëndimit në të akuzuar dhe të dënuar në Hagë, ndërsa një ministër i sistemit të Millosheviçit kaloi nga zëdhënës i propagandës së luftës në garantues të stabilitetit rajonal.

Beogradi vazhdon të trajtohet si qendra e domosdoshme e rajonit: shteti pa të cilin nuk mund të diskutohet për Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi, Rusinë, Kinën apo sigurinë ballkanike.

Fuqia e Serbisë për të prodhuar destabilitet është kthyer në kapital diplomatik. Prandaj asaj i kërkohet bashkëpunim, ndërsa shqiptarëve u kërkohet vazhdimisht të provojnë aftësinë e tyre për të ndërtuar shtet.

Ndërsa Gjykata e Posaçme në Kosovë dhe strukturat antikorrupsion në Shqipëri thithin energjinë politike të dy shteteve shqiptare drejt pastrimit të vet të brendshëm, asnjëra prej tyre nuk mbetet me kapacitet apo legjitimitet për të vepruar si zë koordinues rajonal për çështjen shqiptare në tërësi. Serbisë nuk i duhet të bëjë asgjë për këtë rezultat, i mjafton që fqinjët e saj të mbeten të zënë me veten.

Edhe kur Vuçiçi largohet nga Presidenca, ai mund të rikthehet si kryeministër. Ndryshon posti, por jo domosdoshmërisht sistemi. Në Serbi elita riciklohet; në Shqipëri dhe Kosovë ajo çmontohet dhe vendoset në bankën e të akuzuarve.

Kështu krijohet një standard i dukshëm:

Në Kosovë kriminalizohet brezi i shtetformimit. Në Shqipëri goditet njëra pas tjetrës elita qeverisëse. Në Serbi pushteti riciklohet dhe shteti ruan rolin e partnerit të domosdoshëm.

Kjo nuk do të thotë se duhet të mbrojmë korrupsionin, krimin apo cilindo politikan shqiptar. Përgjegjësia individuale duhet të ekzistojë dhe drejtësia duhet të veprojë.

Por përgjegjësia duhet të jetë personale, e barabartë dhe e mbështetur mbi të njëjtin standard, jo të shndërrohet në një akuzë kolektive ndaj shqiptarëve.

Dikur narrativa se shqiptarët nuk dinin të bënin shtet ndihmoi në legjitimimin e copëtimit të trojeve të tyre. Sot, kriminalizimi i elitave shqiptare rrezikon të përdoret për të vënë në dyshim aftësinë e dy hapësirave politike shqiptare për të qenë zotër të së ardhmes së tyre.

Shqiptarët po paguajnë edhe për gabimet e udhëheqësve të tyre, edhe për tolerancën shumëvjeçare të atyre që i mbështetën dhe mbyllën sytë.

Serbia, ndërkohë, vazhdon të shpërblehet për peshën dhe aftësinë e saj për të kërcënuar stabilitetin.

Ky projekt kundër shqiptarëve duhet të marrë fund me çdo çmim, me vetëdije kombëtare, bashkim, shtet ligjor, diplomaci dhe fuqinë e argumentit. Dhe duhet të mbyllet nga vetë shqiptarët, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë për ta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco