Policia e Shtetit njoftoi sot se ka arrestuar në aeroportin e Rinasit teksa zbriste nga avioni, një shtetas ukrainas i kërkuar për akuzën e trafikut të drogës në Kiev dhe i cili do ekstradohet.
Informacioni për ardhjen e tij në vendin tonë është dhënë nga zyra e Njësisë Hetimore DSS në Ambasadën e SHBA në Tiranë, që ndihmoi autoritetet ligjzbatuese shqiptare në operacion.
“Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në sajë të shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, arrestuan shtetasin: A. S., 53 vjeç, shtetas ukrainas. Ky shtetas u arrestua nga shërbimet e Policisë, në momentin që zbriti në aeroportin e Rinasit”, tha policia.
Urainasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, për trafik të lëndëve narkotike, si pjesë e një organizate kriminale.
“Policia e Shtetit po punon me agjencitë partnere lidhur me këtë anëtar të organizatës kriminale, si dhe Interpol Tirana po punon për fillimin e procedurave të ekstradimit me homologët ukrainas. Edhe njëherë, Policia e Shtetit falënderon agjencitë partnere për bashkëpunimin e vazhdueshëm në Shqipëri”, sqaroi policia.
Lini një Përgjigje