SPORT, 26 September 2026, 10:15

Prapaskena e dy yjeve të të ardhmes, lojtarët kanë refuzuar ftesat e Shqipërisë. Njërin e tundon Kosova

Prapaskena e dy yjeve të të ardhmes, lojtarët kanë refuzuar

Arman Durmishi dhe Enis Rexhepi janë dy prej talenteve më interesantë të brezit të vitlindjes 2008, por prej muajit mars janë shkëputur nga ekipet kombëtare të moshave.

Të dy sulmuesit ishin pjesë e Shqipërisë U-19 në mars, ndërsa nuk u përfshinë në listat e qershorit dhe as në grumbullimin e shtatorit. Mungesa e tyre bie veçanërisht në sy duke parë zhvillimin që po përjetojnë në klubet e tyre.

Durmishi, 18 vjeç, është pjesë e Juventusit dhe është përfshirë në listën e klubit për Ligën e Europës. Sulmuesi është parë nga afër edhe nga Luçiano Spaleti, ndërsa “Zonja e Vjetër” e ka afruar me ekipin e rezervave në Serinë C, ku synon të fi tojë minuta në futbollin profesionist.

Ai është gjithashtu pjesë e strukturës së U-20 në Primavera 1. Rexhepi, nga ana tjetër, po zhvillohet në Gjermani te Shtutgarti dhe ka luajtur edhe në UEFA Youth League. Për të është përfolur gjithashtu mundësia e një zgjedhjeje të Kosovës në të ardhmen.

PRAPASKENAT- “Panorama Sport” mëson nga burime pranë FSHF-së se të dy lojtarët kanë marrë ftesë zyrtare nga trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi. Megjithatë, përgjigjja e Durmishit dhe Rexhepit ka qenë negative, pasi të dy kanë refuzuar grumbullimin me kuqezinjtë. Pikërisht ky refuzim shpjegon edhe mungesën e tyre nga lista e fundit e Shqipërisë U21.

Në rastin e Rexhepit, situata mbetet edhe më interesante për shkak të zërave për një të ardhme të mundshme me Kosovën, ndërsa për Durmishin pritet të shihet se si do të zhvillohet raporti me ekipet kombëtare shqiptare. Dy talentet vazhdojnë ndërkohë rrugëtimin e tyre në futbollin europian dhe mbeten emra për t’u ndjekur nga afër nga Shqipëria. Për FSHF-në, çështja është një sinjal që duhet ndjekur me kujdes.

Dy lojtarë të së njëjtës gjeneratë, të dy qendërsulmues dhe me eksperienca në akademi të rëndësishme europiane, tashmë janë jashtë listave kuqezi, pavarësisht se kanë pasur ftesa zyrtare. Shqipëria ka nevojë të ruajë lidhjen me talentet e saj më të spikatur jashtë vendit, ndërsa Durmishi dhe Rexhepi do të duhet të vendosin se cilën rrugë do të ndjekin në nivel ndërkombëtar. Për momentin, fakt është se dy prej emrave më interesantë të brezit 2008 nuk janë pjesë e kuqezinjve, ndërsa prapaskenat e këtij vendimi e bëjnë situatën edhe më interesante.