Dani Osvaldo, ish-futbollist i Juventusit, Southamptonit dhe Kombëtares së Italisë, ndodhet në terapi intensive në Argjentinë, pasi është diagnostikuar me një problem serioz në mushkëri.
Të lidhura
None found
40-vjeçari, i cili e ka mbyllur karrierën futbollistike, u dërgua me urgjencë në spital të enjten në mbrëmje. Ai kishte kaluar disa ditë me dhimbje të forta në gjoks, ndërsa ekzaminimet mjekësore zbuluan një derdhje pleurale në anën e djathtë.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, Osvaldo u transportua në Spitalin Komunal Llavallol, në Lomas de Zamora. Raportohet se në mushkëri ishin grumbulluar lëngje dhe qelb, çka kërkoi një ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Pas ndërhyrjes, stafi mjekësor e vendosi në repartin e kujdesit intensiv. Ish-sulmuesi vijon të jetë në gjendje serioze dhe po mbahet nën vëzhgim të pandërprerë.
Lajmi për situatën e tij shëndetësore u bë i ditur nga gazetari Pepe Ochoa gjatë programit televiziv argjentinas “LAM”, të moderuar nga Angel de Brito.
“Ai ishte në gjendje shumë të keqe. Kishte disa ditë që ndihej shumë keq; kishte qelb dhe lëngje në mushkëri. I hoqën dy centimetra nga secila mushkëri. Diagnoza është derdhje pleurale në anën e djathtë”, deklaroi Ochoa.
Gjatë emisionit u bë e ditur gjithashtu se ish-lojtari i Boca Juniors po kalonte një krizë të rëndë personale, e shoqëruar me probleme të mëdha financiare dhe pa sigurim privat shëndetësor përpara shtrimit urgjent në spital.
