TIRANË- SPAK dhe BKH zhvilluan mëngjesin e kësaj të shtune një aksion në Shkodër, ku arrestuan në banesën e tij 50-vjeçarin Bledar Cafi. Cafi akuzohet për trafik droge në grupin kriminal të Rrajave, si vijim të operacionit të dhjetorit 2025 kur u godit ky grup i fuqishëm me bazë në Fushë-Krujë.

50-vjeçari Cafi, personazh i njohur nga autoritetet në fushën e trafikut të drogës, i dënuar më parë edhe në Itali me mbi 4 vite burg, jetonte në Shkodër në këtë banesë, e cila ishte e rrethuar  me këto mure, nga  të cilat  mori emrin edhe operacioni për kapjen e tij “Muri i Lartë”.

Por emri i madh i këtij operacioni të mëngjesit të së shtunës ishte një tjetër. Endrit Dokles alias Indrit Dokle, i shumëkërkuari që prej vitit 2024, i njohur si anëtar i rëndësishëm i ish bandës së Durrësit, GJKKO i ka caktuar një tjetër masë sigurie të premten, për trafik droge.

Dokle, i cili edhe këtë herë i ka shpëtuar prangosjes, është zbuluar nga komunikimet në SkyEECC se ka bashkëpunuar me grupin e Rrajave në të paktën një episod të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Me masën ndaj tij dhe Cafit shkon në 17 numri i masave të sigurisë për grupin e Rrajave të Fushë-Krujës.

Dosja është hetuar prej kohësh nga Prokurori Adnand Xholi, i cili më herët ka lëshuar 15 urdhër arreste. Mësohet se në vijim të këtij operacioni SPAK ka zbardhur edhe 3 episode të tjera të trafikut të drogës nga ky grup në vendet e BE-së ku janë zbuluar edhe Dokle e Cafi.

Endrit Dokle, emri i të cilit bëri bujë edhe në janar 2020 kur u lirua me kusht nga gjyqtarja e arrestuar më pas Enkelejda Hoxha, në maj 2024 u shpall në kërkim si pjesë e dosjes Revanshi, i akuzuar për krijim kushtesh për atentate ndaj ish deputetit socialist Arben Ndoka dhe Tori Xheçuka e Erigers Mihasit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:35
U arrestua me urdhër të SPAK, kush është Bledar Cafi, i dënuar në Itali për trafik droge

Bledar Cafi, 50 vjeç, i konsideruar nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u arrestua me urdhër të SPAK, pasi akuzohet si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Bashkë me Endrit Doklen, emri i tij ka dalë nga zbërthimi i SkyECC, të dyshuar se kanë trafikuar drogë në bashkëpunim me grupin e Rrajave. Ai akuzohet pwr 3 vepra penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Cafi rezulton person me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe është dënuar më herët në Itali për trafik narkotikësh. Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes e dënoi Cafin me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe më 25 janar 2021 në Shkodër nga policia shqiptare me qëllim ekstradimin drejt Italisë për të vijuar vuajtjen e dënimit.

Bledar Cafi kishte qenë më herët edhe në fokus të Operacionit Forca e Ligjit, i cili në vitin 2020 i kërkoi atij dhe vëllait të tij, Gëzim Cafi, të deklaronin dhe justifikonin burimin e pasurive. Sipas një raporti të Policisë së Shtetit të asaj kohe, Bledar Cafi rezultonte me disa aktivitete biznesi në Shkodër, mes tyre bar-kafe, aktivitet në sektorin e peshkimit dhe tregtimin me shumicë e pakicë të produkteve ushqimore. Për pasurinë e familjes Cafi kishte pasur më herët edhe hetime për pastrim parash, por procedimet ishin pushuar nga Prokuroria e Shkodrës.

Ora 11:25
Në kërkim nga SPAK, kush është ish-anëtari i bandës së Durrësit Endrit Dokle! Planet e Ervis Martinajt për ta eliminuar

SPAK lëshon urdhërarrest për ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Me urdhër të SPAK u ushtruan kontrolle në disa ambiente në pronësi të Dokles, por ai nuk është gjetur. 

Kjo është masa e dytë e sigurisë që lëshohet për Doklen, i cili është dërguar për gjykim në GJKKO i akuzuar se siguroi kushtet për të vrarë Arben Ndokën.

Emri i Dokles është shfaqur në disa dosje të SPAK kryesisht si objektiv i planeve për eliminimin e tij. Në dosjen “Plumbi i Artë”, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka dëshmuar se Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit 2022, i kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e Dokles, nga të cilat pretendonte se kishte marrë 100 mijë euro parapagim.

Pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022, Dokle u mor në pyetje nga hetuesit. Familjarët e Martinajt kishin kërkuar të hetohej edhe pista e një hakmarrjeje të mundshme nga Dokle, nisur nga pretendimi i Dumanit se Martinaj kishte porositur vrasjen e tij.

Emri i Dokles doli edhe në një tjetër procedim të SPAK. Më 2 qershor 2026, GJKKO dënoi Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën për sigurimin e kushteve për vrasjen e tij, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Endrit Dokle ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krimet e kryera kur ishte pjesë e Bandës së Durrësit, por në janar 2020 fitoi lirinë me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Ajo i shuajti dënimin e përjetshëm duke e konvertuar në 25 vite burg dhe më pas e liroi me kusht, duke i kaluar 5 vitet e mbetura në shërbim prove. Dokle kishte qëndruar në qeli që prej vitit 2005. Prokuroria e Krujës e ankimoi vendimin, duke argumentuar se Dokle është një përsëritës krimesh dhe nuk plotësonte kushtet ligjore për lirimin me kusht, por kërkesa është ende në Apel dhe nuk është caktuar ende data për shqyrtimin e saj.