“Muri i Lartë” kap Bledar Cafin, SPAK finalizon operacionin antidrogë, shpallet në kërkim Indrit Dokle
SPAK dhe BKH kanë zhvilluar një operacion në Tiranë dhe Shkodër kundër një grupi të dyshuar për trafik droge.
Gjatë aksionit, të koduar “Muri i Lartë”, ka rënë në pranga Bledar Cafi, 50 vjeç, i arrestuar në banesën e tij në Shkodër.
Gjykata e Posacme kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest me burg”, nën dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike dhe aktivitet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Në të njëjtën dosje është lëshuar urdhërarrest edhe për Indrit Doklen, 43 vjeç, i lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.
Policia ka kontrolluar banesën e tij, por nuk e ka gjetur aty. Ai vijon të jetë në kërkim.
Bledar Cafi është një emër i njohur më herët për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2021 ai u arrestua në Shkodër pas një kërkese ndërkombëtare të autoriteteve italiane.
Sipas Policisë, Gjykata e Triestes e kishte dënuar me 4 vite e 2 muaj burg për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik droge.
Edhe Indrit Dokle është përmendur prej vitesh në dosje të rënda kriminale dhe njihet si ish-anëtar i Bandës së Durrësit. Emri i tij është shfaqur edhe në dosjen “Plumbi i Artë”, ku u penduari Nuredin Dumani ka deklaruar se Ervis Martinaj kishte ofruar 500 mijë euro për eliminim e Dokles.




