Një 50-vjeçar është arrestuar në Shkodër gjatë një operacioni të përbashkët të SPAK, BKH-së dhe Policisë së Shtetit, që synon goditjen e një grupi të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike dhe veprimtarinë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në pranga përfundoi Bledar Cafi, 50 vjeç, banues në Shkodër, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Vendimi është dhënë më 25 shtator 2026 nga GJKKO, e cila e akuzon Cafin për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale që lidhen me pjesëmarrjen në një grup të tillë.
Në të njëjtin operacion, policia ka ushtruar kontrolle për lokalizimin e një tjetër personi të shpallur në kërkim,Endrit (Indrit) Dokles., 43 vjeç.
Dokle është shpallur në kërkim që prej vitit 2024, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar gjithashtu masën “Arrest me burg” për akuza që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe aktivitetin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë kontrolleve në banesën dhe ambientet që i përkasin tij, 43-vjeçari nuk është gjetur.
Policia bën me dije se operacioni vijon dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa materialet procedurale janë në funksion të hetimit të SPAK.














