Një shpërthim i fuqishëm që shkaktoi shembjen e një godine në lagjen Plaka të Athinës ka lënë pas viktima dhe persona të zhdukur.
Deri më tani janë nxjerrë dy trupa nga rrënojat, ndërsa katër persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur, mes tyre edhe tre shqiptarë që ndodheshin në Athinë për turizëm.
Autoritetet greke dyshojnë paraprakisht për një rrjedhje gazi natyror si shkak të shpërthimit, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon.
Gjendet trupi i dytë, viktima një 77-vjeçar britanik
Trupi i dytë është nxjerrë nga rrënojat e ndërtesës së shembur në rrugën “Lysikratous”, një ditë pas shpërthimit të fuqishëm.
Fillimisht u raportua se viktima ishte një grua, por zëdhënësja e zjarrfikëses greke, Efi Papamvramopoulou, konfirmoi se bëhet fjalë për një burrë 77-vjeçar, shtetas britanik.
Më herët, ekipet e kërkim-shpëtimit kishin gjetur edhe trupin e një gruaje, e cila dyshohet se jetonte në një apartament me qira afatshkurtër në katin e parë të godinës.
Tre shqiptarë mes personave që vijojnë të jenë të zhdukur
Katër persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Mes tyre janë edhe tre shtetas shqiptarë, të identifikuar si Florin Hoxha, Florida Hoxha, motër e vëlla, dhe Eris Cani.
Sipas informacioneve, tre shqiptarët ndodheshin në Athinë për turizëm.
Personi i katërt që vijon të kërkohet është identifikuar si Ian Alexander Kirkpatrick.
Në informacionet e publikuara më herët janë përmendur edhe emrat Edmond Hings dhe Athina Papapresku, ndërsa autoritetet vijojnë punën për të përcaktuar statusin e të gjithë personave që ndodheshin në godinë.
30 zjarrfikës dhe qen të trajnuar në kërkim
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në kushte të vështira. Në terren ndodhen rreth 30 zjarrfikës me gjashtë automjete, mes tyre dy mjete speciale të njësisë së kërkim-shpëtimit EMAK, si dhe tre qen të trajnuar për kërkime nën rrënoja.
Ekipet po përdorin pajisje të posaçme për zbulimin e tingujve nën rrënoja dhe kamera speciale për të lokalizuar personat që mund të kenë mbetur të bllokuar.
Në operacion po ndihmon edhe Bashkia e Athinës me mjete të rënda për largimin e materialeve të shembura.
Dyshohet rrjedhje gazi
Shpërthimi ndodhi pak pas orës 07:30 të së premtes, më 25 shtator, duke shkaktuar shembjen e ndërtesës dykatëshe dhe dëmtime të konsiderueshme në godinat përreth dhe automjetet e parkuara.
Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve greke, një nga pistat kryesore për shkaqet e shpërthimit është një rrjedhje e gazit natyror. Megjithatë, hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të tragjedisë.
Hetimet vijojnë në vendngjarje
Në zonë ndodhen forcat e Policisë greke, ambulancat e EKAV dhe një grup i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Zjarrit.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet mes rrënojave për katër personat që ende rezultojnë të zhdukur.













