Arrestimi i Vlora Hysenit, Bashkimi Evropian: Besim të plotë te puna e SPAK! Po ndjekim luftën kundër korrupsionit
Komisioni Europian ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, tha se Brukseli nuk komenton çështje që janë ende në proces, por theksoi se zhvillimet në Shqipëri ndiqen nga afër.
I pyetur për çështjen e Hysenit dhe masën e sigurisë ndaj saj, Mercier u shpreh se Komisioni Europian nuk komenton procedimet që janë ende në zhvillim.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian.
Në vijim të deklaratës së tij, Mercier shprehu mbështetjen e Komisionit Europian për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, tha Mercier.
Zëdhënësi i Komisionit Europian bëri të ditur gjithashtu se kontaktet me autoritetet shqiptare vijojnë.
“Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë”, u shpreh ai.
Mercier shtoi se vlerësimi i Komisionit Europian për zhvillimet në Shqipëri do të bëhet i ditur në raportin e ardhshëm për zgjerimin.
“Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim”, përfundoi zëdhënësi i Komisionit Europian.
Vlora Hyseni, ish-drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit, është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të një hetimi të SPAK.




