Një aksion i shërbimeve të Stacionit të Policisë Plazh ka çuar në prangosjen e një 30-vjeçari të shpallur në kërkim, i cili tentoi t’i shpëtonte patrullës duke shkaktuar aksidente dhe rrezikuar jetën e qytetarëve e të efektivëve të rendit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në rrugën “Pavarësia”, ku gjatë patrullimit në territor, punonjësit e policisë kanë pikasur një automjet pa targa dhe me xhama të zinj që kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Kur drejtuesi i mjetit vuri re praninë e policisë dhe iu bë shenjë ndalimi, shtoi menjëherë shpejtësinë për t’u larguar.
Gjatë ndjekjes, automjeti i dyshuar ka përplasur 4 makina të tjera. Më pas, drejtuesi e ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të ikë me vrap, por është kapur dhe neutralizuar nga shërbimet e policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi i ndaluar, M.K., 30 vjeç, ishte i shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes. Automjeti me të cilin ai po lëvizte ishte vjedhur vetëm një ditë më parë në Tepelenë.
Ndaj 30-vjeçarit u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale të vjedhjes, mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.