Bota

Trump e paralajmëroi Xi-në, të mos e mbështesë Iranin!

Presidenti amerikan, Donald Trump, e paralajmëroi drejtpërdrejt udhëheqësin kinez, Xi Jinping, kundër ofrimit të ndihmës për Iranin gjatë bisedimeve të tyre në Uashington. Ambasadori amerikan në Kinë dha detaje të reja për një çështje që u vu në qendër të vëmendjes gjatë vizitës së Xisë në Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori David Perdue, i cili mori pjesë në takimet dypalëshe, tha për CNBC-në se Trump e bëri të qartë se çdo ndihmë kineze për Teheranin, përfshirë informacionet e Inteligjencës, komponentët ose pajisjet ushtarake është “plotësisht e papranueshme”.

Ne mendojmë se ka pasur mbështetje të tërthortë, por nuk ka prova të drejtpërdrejta. Jemi shumë të shqetësuar për këtë mbështetje të tërthortë dhe këtë e kemi bërë shumë të qartë, tha Perdue.

Ndërkaq, në një intervistë tjetër për Fox News-in, Perdue u shpreh se Pekini i dha garanci Uashingtonit se nuk po ofron një ndihmë të tillë.

Ne kemi parë tashmë zhvillime… Kjo është çka përfshin zotimi. Na siguruan dje se nuk po e bëjnë këtë.

Këto deklarata vijnë pasi ligjvënësit amerikanë dhe ekspertët e sigurisë kombëtare i bënë thirrje Trump-it që të përballej me Xinë lidhur me akuzat se entitete kineze e kanë ndihmuar Iranin përmes informacioneve satelitore, komponentëve të armëve e blerjes së naftës iraniane që është nën sanksione.

Pekini mohoi se i ka ofruar Teheranit mbështetje ushtarake ose të Inteligjencës.

Në vend të kësaj, publikisht, Xi bëri thirrje që Uashingtoni dhe Teherani t’u kthehen negociatave që synojnë përfundimin e luftës të nisur në fund të shkurtit, si dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.