Ambasadori amerikan merr detyrën, Eric Wendt dorëzon letrat kredenciale te Presidenti Begaj
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt do të marrë zyrtarisht detyrën diplomatike në Tiranë këtë të shtunë.
Diplomati do të dorëzojë letrat kredenciale tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Pas ceremonisë, ambasadori Wendt dhe kreu i shtetit do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.
Eric Wendt pason në detyrë ish-ambasadoren Yuri Kim, e cila u largua nga posti në qershor të vitit 2023.
Që prej largimit të saj, misioni diplomatik amerikan në Tiranë është drejtuar nga Nancy VanHorn, në cilësinë e të ngarkuarës me punë të Shteteve të Bashkuara.
Wendt u konfirmua nga senati amerikan si ambasador i SHBA-së në Shqipëri.
Gjatë fjalimit të tij para komitetit për punët e jashtme ne senat Wendt deklaroi se prioritet kryesor i mandatit të tij do të jetë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Ai gjithashtu u shpreh se do të fokusohet veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ambasadori i ri amerikan ka vlerësuar gjithashtu rolin e Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe ka shprehur mbështetje për rritjen e investimeve amerikane në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.




