Rreth 10 kilometra rrugë e amortizuar prej dekadash është kthyer në shqetësimin kryesor për banorët e Çërrilës në Mallakastër.
Banorët thonë se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme ndër vite, nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje për rehabilitimin e rrugës, ndërsa gjendja e saj ka sjellë izolimin e Çërrilës dhe disa fshatrave të zonës.
Mungesa e infrastrukturës ka ndikuar edhe në jetën e fshatit. Shkolla është mbyllur prej rreth 20 vitesh, ndërsa largimi i të rinjve ka bërë që sot në Çërrilë të kenë mbetur vetëm rreth 20 familje, kryesisht të moshuar.
Rruga e amortizuar vështirëson edhe transportin e prodhimeve bujqësore, veçanërisht të ullirit. Banorët shprehen se shpesh detyrohen t’i transportojnë prodhimet në krahë, ndërsa për hyrjen e automjeteve në zonë duhet të paguajnë deri në 5 mijë lekë.
Sipas Bashkisë Mallakastër, pritet të nisin së shpejti procedurat për fazën e parë të rehabilitimit të segmentit Kapaj-Selitë, me gjatësi rreth 3.5 kilometra.
Për banorët, ndërhyrja në rrugë është jetike për të shmangur braktisjen përfundimtare të Çërrilës.
© SYRI.net