"Skënderbeu - Biri i Zotit", kështu pritet të titullohet filmi i ri që do të realizohet për heroin tonë kombëtar. Siç është raportuar, jo zyrtarisht, filmi biografik pritet të publikohet në vitin 2027 dhe do të sjellë në ekranet e mëdha historinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Aktivisti shqiptaro-amerikan, Marko Kepi, gjithashtu politikan, veteran i Korpusit të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe oficer i Policisë së Nju Jorkut, ka marrë pjesë mbrëmjen e djeshme në darkën që është shtruar nga kryeministri Edi Rama në Amerikë dhe zbulon se aty është shfaqur dhe një promo e filmit.
Ky projekt filmik epik biografik mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i realizuar nga regjisorë dhe producentë si Cyrus Nowrasteh, Gian-Carlo Ochoa dhe Mark Gjelaj, sjell një interpretim modern dhe të shumëpritur të stilit hollivudian për heroin kombëtar të Shqipërisë. Duke synuar të pasqyrojë rezistencën e tij legjendare 25-vjeçare kundër Perandorisë Osmane, ky projekt kërkon të përmbushë një ëndërr të kahershme të komunitetit shqiptar për një portretizim madhështor kinematografik, të ngjashëm me filmin "Braveheart".
