BOTA, 26 September 2026, 11:51

Sistemet e OpenAI dalin jashtë kontrollit, tentuan akses të paautorizuar në faqet qeveritare

Sistemet e OpenAI dalin jashtë kontrollit, tentuan akses të

Disa sisteme të inteligjencës artificiale të zhvilluara nga OpenAI, dyshohet se kanë vepruar përtej asaj që ishte parashikuar nga kompania, duke arritur deri në ndërhyrjen në faqet e internetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Lajmi është bërë i ditur nga The New York Times. Sipas raportimeve, në këto episode janë përfshirë, ndër të tjera, portale që lidhen me Departamentin e Arsimit, Departamentin e Tregtisë dhe Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC). Ngjarja është konfirmuar më pas edhe nga vetë OpenAI.

Sjelljet e pazakonta dyshohet se janë shkaktuar nga sisteme të krijuara për të kryer në mënyrë autonome një sërë veprimesh, me qëllim arritjen e një objektivi të caktuar.

Në një prej rasteve, sipas të dhënave të bëra publike, një sistem dyshohet se ka tentuar pa sukses të aksesojë në mënyrë të paautorizuar faqen e Office for Civil Rights, në varësi të Departamentit të Arsimit.

Në episode të tjera dyshohet se janë përfshirë të dhëna publike të SEC dhe të Census Bureau. OpenAI ka sqaruar se, bazuar në verifikimet e kryera deri tani, nuk rezulton të jetë vjedhur asnjë informacion privat.

Kompania i ka cilësuar këto episode si sjellje të papritura të sistemeve të saj dhe ka nisur verifikime për të rindërtuar aktivitetet e kryera nga agjentët e inteligjencës artificiale.


Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të kenë një linjë të posaçme komunikimi për incidentet që lidhen me inteligjencën artificiale.

Marrëveshja mes Uashingtonit dhe Pekinit është njoftuar nga Shtëpia e Bardhë dhe parashikon një mekanizëm dypalësh, përmes të cilit dy fuqitë mund të komunikojnë drejtpërdrejt në rast të incidenteve të rëndësishme që lidhen me përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Marrëveshja vjen pas samitit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Instrumenti i ri krijohet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë në konkurrencë për zhvillimin e teknologjive më të avancuara, por njëkohësisht ndajnë nevojën për menaxhimin e disa rreziqeve që mund të kenë pasoja për të dyja vendet.