Importoi mish të skaduar nga Brazili, Agjencia e Ushqimit urdhëron kontroll në kompaninë “Apetit”
PRISHTINË – U desh Mali i Zi të vepronte që institucionet në Kosovë të ndërmarrin hapa ndaj “Apetit Group”, pasi që 102 tonë mish i skaduar nga Brazili u kap nga shteti fqinj, mish që kishte destinacion Kosovën e këtë kompani.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se, pas këtij lajmi, e kanë rritur nivelin e masave të kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”, ndonëse me mishin është duke u marrë Dogana e Malit të Zi.
“Mbi çdo konstatim të nxjerrë, i cili konfirmon rrezikim të shëndetit publik, i cili ndërlidhet me sigurinë ushqimore, autoriteti pa vonesë do të ndërmarrë masat përkatëse, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të secilit produkt që nuk i përmbush kriteret ligjore të sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Një sasi prej 24 tonë mish viçi të ngrirë me afat të skaduar nga Brazili, e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”, është bllokuar veç këtë të enjte nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit.
Ndërsa, rreth një javë më parë, autoritetet malazeze kishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me peshë totale prej 77 tonësh. Në total, rreth 102 tonë mish të skaduar.
Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, mishi ishte nisur drejt Kosovës, ndërsa gjatë kontrollit në port u konstatua se afati i përdorimit kishte skaduar.
Administrata Doganore e Malit të Zi bëri të ditur se më 24 shtator 2026 zyrtarët kontrolluan një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante 1,321 paketa, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14.05.2026”, thuhet në njoftimin e Administratës Doganore.
Kompania “Apetit SHPK” është një nga kompanitë e njohura në tregun e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit në Kosovë, e cila nuk e ka për herë të parë problemin e tillë me mishin e skaduar që e paraqet si të freskët.
©️Shqip.com