Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Sali Berisha, bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale

Shkon në 17 numri i të dyshuarve, Indrit Dokle në kërkim për trafik ndërkombëtar droge

Shkon në 17 numri i të dyshuarve, Indrit Dokle në kërkim për trafik ndërkombëtar droge

11:56, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i koduar “Muri i Lartë”, i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe BKH-në. Hetimi, i ndjekur nga prokurori i SPAK, Adnand Xholi, dyshohet se ka zbuluar lidhje mes personave të përfshirë në dosje dhe grupit të Rrajave.

Me masat e reja të sigurisë ndaj Bledar Cafit dhe Endrit (Indrit) Dokles, numri i personave ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie në kuadër të këtij procedimi penal shkon në 17.

Arrest me burg për Bledar Cafin

Bledar Cafi, 50 vjeç, u arrestua në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Shkodër, në kuadër të operacionit “Muri i Lartë”.

Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Cafi dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale që lidhen me pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal.

Indrit Dokle nuk gjendet në banesë

Në të njëjtën dosje, GJKKO ka caktuar masën “Arrest me burg” edhe për Endrit, alias Indrit, Doklen, 43 vjeç.

Sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të hetimit, ndaj Dokles janë ngritur dyshime për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, përfshirë kokainën.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit “Muri i Lartë”, ai nuk është gjetur në banesë. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Dokle rezulton i shpallur në kërkim që prej vitit 2024.

Hetimi për grupin kriminal

Sipas hetimeve të SPAK, aktiviteti i personave të përfshirë në dosje lidhet me trafikimin e lëndëve narkotike dhe veprimtari të tjera të lidhura me krimin e organizuar.

Në fokus të hetimit janë edhe persona që, sipas organit të akuzës, kanë pasur lidhje me grupin e Rrajave.

Operacioni “Muri i Lartë” u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK dhe në zbatim të vendimit të GJKKO-së.

Me zhvillimet e fundit, hetimi përfshin 17 persona ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie, ndërsa operacioni për kapjen e personave ende në kërkim vijon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco