Diana Laba, 56 vjeçe, është administratore dhe aksionere e vetme e kompanisë së ndërtimit Colombo. Zonja Laba ia bleu kompaninë me lekë në dorë për 100 mijë euro Hasan Labës, i shfaqur si babagjysh në fshatra duke dhuruar gjela deti. Gjatë 10 viteve të fundit, kompania Colombo ka përfituar mbi 40 milionë euro nga buxheti i shtetit, në bashkëpunim me kompani të tjera, përmes tenderave të dyshimtë, shumica të shënjuar me flamur të kuq korrupsioni.
Aktiviteti financiar i kompanisë Colombo bazohet plotësisht tek paratë publike, ndërsa kompania nisi të lulëzojë në tendera pas vitit 2013, që përkon me ndryshimin e pushtetit dhe vendosjes së fijeve korruptive me linjat e duhura, kryebashkiakë, dhe drejtorë të sektorëve të rëndësishëm. Vlora, Durrësi dhe Tirana janë tre njësitë kryesore vendore, në të cilat fierakja e Colombës ka përfituar numrin më të madh të tenderave me flamur të kuq.
Disa raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe sinjalizime konfirmojnë se Colombo është kompania më problematike dhe në listën e zezë sa i takon mashtrimit me zbatimin e kontratave publike, përmes situacioneve false për punime që nuk ekzistojnë. Krahas përfitimit të tenderave në disa raste me letra false, me mjete dhe kapacitete fiktive shtesë për shkak të angazhimit në zbatimin e kontratave të tjera publike, me pazar në tavolinë dhe oferta fituese sa fondi limit, Diana Laba rezulton e përfshirë në certifikimin e punëve të pakryera, me qëllim vjedhjen e parave publike, ndoshta për të kompesuar edhe tarifa ryshfeti që mund të ketë paguar tek titullarët e autoriteteve kontraktore.
Në disa raste flagrante, kompanisë Colombo i është kërkuar të kthejë paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme me situacione false. Përplasjet janë zhvendosur edhe në gjykatë. Paratë publike të përfituara përmes mashtrimit dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe jetë luksi. Mashtrimi me zbatimin e kontratave publike, me punë që ekzistojnë vetëm në letra, kthyer në praktikë, nuk mund të realizohet nga Diana Laba pa bashkëpunimin e kompanisë që mbikqyr punimet, ortakët në tenderin e fituar dhe pa titullarin e autoritetit kontraktor.
Përpos Diana Laba, në këtë skemë manipulimi, mashtrimi dhe korrupsioni me tenderat publikë shfaqen personazhe si Shkëlqim Fusha, i pandehur nga SPAK për korrupsion, Nazif Bajrami, i skeduar për trafik droge në Zvicër, Ded Malutaj, i arrestuar për manipulim të procedurave tenderuese, Rrok Gega, i dënuar për mashtrim dhe evazion fiskal, Nuri Balla, Sandër Shpati, Arben Çela, Shpëtim Varaku, Florjan Muha, Dashnor Sinani, Behexhet Uruçi, Shkëlqim Aliaj, Luan Bali, Lavdimir Baraj, Neim Beqiraj, Jani Qosja dhe Ferdinand Çaushi me dosje në SPAK.
Tenderat për kompaninë Kolombo janë firmosur nga Dritan Leli, Emiriana Sako, Ilir Aliaj, Guri Nuhaj, Qerim Ismailaj, Arlinda Pogaj, Dritan Agolli, Olsi Isufaj, Brunilda Mersini, Alfred Mullaraj, Eriselda Sefa, Irland Sina, Arif Tafani, Përparim Shametaj, Edvin Palloshi, Vangjush Dako, Asim Sula, Mejvis Kola, Aurora Hyka, Gelardina Prodani, Dorian Xhelili etj.
-Po kush janë kompanitë mbikqyrëse të punimeve, të cilat kanë lejuar kompaninë Colombo të vjedhë paratë publike përmes situacioneve të rreme për punime që nuk ekzistojnë?
-Kush janë personazhet që fshihen pas kompanive supervizore, të cilat janë çelësi i përvetësimit të parave publike përmes situacioneve false dhe punimeve jo cilësore? Vijon…