Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi kishte vjedhur një automjet në Tepelenë dhe, gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë në Durrës, përplasi katër automjete.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në rrugën “Pavarësia”, ku shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh konstatuan një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, që lëvizte në mënyrë të rrezikshme.
Policia i bëri shenjë drejtuesit të ndalonte, por ai shtoi shpejtësinë dhe tentoi të largohej. Gjatë arratisjes, ai përplasi katër automjete, duke rrezikuar qytetarët dhe punonjësit e policisë.
Pas përplasjes, 30-vjeçari braktisi makinën dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga efektivët.
Nga verifikimet e policisë rezultoi se i arrestuari, me inicialet M. K., 30 vjeç, ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Një ditë më parë, ai dyshohet se kishte vjedhur automjetin në Tepelenë dhe më pas e kishte përdorur për t’i shpëtuar policisë.
Në përfundim të hetimeve paraprake, 30-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vjedhja”, “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.













