Autori i këngës “Mora Fjalë”, Naim Gjoshi, ka marrë një vendim të papritur për ndalimin e publikimit të saj në platformat online.
Kënga, e cila ndër vite është kthyer në një prej këngëve më të njohura dhe më të dëgjuara nga shqiptarët, është përdorur gjerësisht edhe në stadiume, veçanërisht gjatë ndeshjeve të futbollit.
Arsyet që kanë çuar Gjoshin në këtë vendim ende nuk janë bërë të ditura. Vetë autori ka treguar më herët se nuk e kishte menduar se kënga do të merrte një jehonë kaq të madhe, duke rrëfyer se ajo ishte shkruar fillimisht vetëm si një shprehje e emocioneve të tij.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të bëhej hit. Kjo këngë u shkrua vetëm prej emocioneve të mia”, është shprehur Gjoshi disa vite më parë për Newsbomb.al. Kënga është frymëzuar nga historia e Adem Jasharit dhe është shkruar në vitin 2000 nga kantautori elbasanas.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave në Kosovë, një kompani përfaqësimi ka ndërmarrë hapa ligjorë për të kërkuar që kënga të mos jetë e disponueshme në platformat online. Aktualisht “Mora Fjalë” vijon të gjendet në YouTube, por Newsbomb.al mëson se pritet që kërkesa për largimin e saj të shtrihet edhe në këtë platformë.
Kjo këngë që prej vitesh është kthyer në refren të përbashkët në stadiume dhe në evente të ndryshme, pritet të mos jetë më e aksesueshme online.
