
Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur gjatë një sulmi me armë ndaj lokalit të babait të saj në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës.
E mitura ndodhej brenda kafenesë kur persona që lëviznin me automjet qëlluan drejt fasadës.
Babai i vajzës është identifikuar si Denis Luli, 30 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët hapën zjarr pa zbritur prej tij dhe u larguan menjëherë. Në lokal ndodheshin edhe rreth dhjetë klientë.
Vajza u plagos në këmbë dhe u dërgua në spital.
Jeta e saj nuk është në rrezik. Autoritetet greke po hetojnë për të përcaktuar kush ishte shënjestra e sulmit dhe çfarë konflikti mund të fshihet pas tij.
Një nga dyshimet e ngritura gjatë hetimeve të para është se porosia për atentatin ka ardhur nga burgu, nga Klodian Lekocaj.
Kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe deri tani nuk janë bërë të ditura prova që e lidhin atë me sulmin ndaj lokalit.
Kush është Klodian Lekocaj?
Klod Cara, i njohur edhe si Klodian Lekocaj, është një emër i përmendur prej vitesh në kronikën kriminale greke. Mediat në Greqi e kanë cilësuar si drejtues të së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”, ndërsa ai vetë i ka mohuar publikisht akuzat, duke e quajtur veten të pafajshëm.
Emri i tij është shfaqur në hetime për vrasje, tentativa vrasjeje dhe veprimtari të tjera kriminale. Në vitin 2022, pas arrestimit në Athinë të Viktor Çalës dhe Andi Beqirit, Çala deklaroi se ishte urdhëruar nga Lekocaj të vriste një shtetas grek për shkak të një konflikti të lidhur me trafikun e drogës.
Bëhet fjalë për një pretendim të dhënë gjatë hetimit, jo për një përfundim gjyqësor mbi përgjegjësinë e Lekocajt.
Lekocaj është përmendur gjithashtu në çështje që lidhen me vrasjen e avokatit grek Mixalis Zafiropoulos dhe me ngjarje të rënda brenda burgjeve greke.
Sipas raportimeve të mëparshme, ndaj tij janë ngritur akuza edhe për gjobëvënie dhe porositje atentatesh. Ai i ka kundërshtuar akuzat ndaj tij.
Në prill të vitit 2025, emri i Lekocajt u lidh me hetimet për atentatin ndaj dy shqiptarëve, Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, të ndodhur në shtator 2024.
Po atë vit, ai u përfshi në një incident në burgun e Korydhalosit, ku, sipas raportimeve, dy gardianë u mbajtën peng me thikë.
Për sulmin e fundit në Athinë, hetimi mbetet i hapur. Policia po kërkon të identifikojë personat që qëlluan nga automjeti dhe të verifikojë dyshimin se urdhri për atentatin është dhënë nga brenda burgut./Versus.al


