Berisha: Vlora Hyseni është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve që e tradhtuan
Sali Berisha ka reaguar sërish për arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke e cilësuar çështjen si një nga skandalet më të rënda në historinë e vendit.
Berisha ngriti akuza dhe pretendime për lidhje të Hysenit me persona të botës së krimit dhe tha se rikthimi i saj në detyrë lidhet me përplasjet brenda këtij rrjeti.
“Java që lamë pas është java e skandalit më të jashtëzakonshëm, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe e një skandali që njeh gjithsej vetëm dy raste të tjera të ngjashme në historinë e botës. Shefja e shërbimit inteligjent të vendit arrestohet për bashkëpunim me organizatën kriminale më të rrezikshme në Evropë të Ergys Agasit, për nxjerrjen e sekretit shtetëror, duke shkaktuar kështu rënien e plotë të piramidës së sigurisë së vendit.
Për qytetarët shqiptarë shtoj se arrestimi për bashkëpunim me krimin dhe për nxjerrjen e sekretit i shefit të shërbimeve është më i rëndë se arrestimi i çdo zyrtari tjetër të vendit për këto dy vepra penale, sepse ai prezumohet se është i certifikuar për shkallën më të lartë të besimit.
Ndërkohë që Vlora Hyseni është emëruar në atë post absolutisht jashtë çdo kriteri dhe kjo përbën një nga çështjet më madhore që kërkon përgjigje.
Vlora Hyseni është denoncuar nga Sali Berisha, por mundet edhe nga të tjerë, që në javën e parë të emërimit të saj të pamerituar në atë detyrë dhe në vazhdim. Ergys Agasi është akuzuar nga Sali Berisha në mënyrë të përsëritur se kishte në kontroll të plotë Shërbimin Informativ Kombëtar.
Vlora Hyseni arrestohet apo shpallet urdhër-arresti në një kohë kur ajo nuk ishte në qeveri, çka dëshmon se qeveritarët aktualë donin me çdo kusht që ajo të kthehej. Por ajo u kthye dhe, me sa duket, është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan, sipas saj. Ndaj dhe zhvillimet e mëpastajme do të jenë po të këtij kalibri, po të këtij niveli”, tha Berisha në një deklaratë në rrjetet sociale.

