Tre raste kontrabande janë goditur në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës, pas kontrolleve të kryera nga strukturat e Administratës Doganore në bazë të analizës së riskut.
Gjatë kontrollit të tre mjeteve janë konstatuar sasi mallrash të padeklaruara, si dhe raste kur natyra e mallit nuk përputhej me deklarimin, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Pas verifikimeve, autoritetet doganore kanë vendosur masat administrative përkatëse dhe kanë sekuestruar mallrat e konsideruara kontrabandë. Ndërkohë, rastet janë referuar për ndjekje penale pranë Prokurorisë.
Sipas Administratës Doganore, vlera e detyrimeve doganore të shmangura në këto raste arrin në rreth 1.6 milionë lekë, ndërsa penalitetet e vendosura kapin vlerën e rreth 2.5 milionë lekëve. Në total, detyrimet dhe penalitetet arrijnë në rreth 4.1 milionë lekë.
Administrata Doganore deklaron se do të vijojë kontrollet për parandalimin e shkeljeve doganore, me fokus lehtësimin e tregtisë së ligjshme, mbrojtjen e konkurrencës dhe të biznesit të ndershëm, si dhe evidentimin e rasteve të shmangies së detyrimeve doganore.

