Strukturat e Administratës Doganore, bazuar në analizën e riskut, bëjnë me dije se kanë goditur një skemë kontrabande në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.
Në kuadër të forcimit të kontrolleve dhe mbrojtjes së konkurrencës së ndershme, gjatë kontrollit të 3 mjeteve u konstatuan sasi mallrash të padeklaruara, si dhe ndryshime në natyrën e mallit, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Në përfundim të verifikimeve janë vendosur masat administrative përkatëse, janë sekuestruar mallrat e konsideruara kontrabandë, ndërsa rastet janë referuar penalisht pranë Prokurorisë.
Vlera e detyrimeve doganore të shmangura arrin në rreth 1.6 milionë lekë, ndërsa penalitetet në rreth 2.5 milionë lekë, duke e çuar shumën totale të detyrimeve dhe penaliteteve në rreth 4.1 milionë lekë.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar për lehtësimin e tregtisë së ligjshme, mbrojtjen e biznesit të ndershëm dhe forcimin e kontrolleve ndaj çdo tentative për shmangien e detyrimeve doganore.
