
Siena, një vajzë 5-vjeçare nga Londra, nisi të shfaqte shenja të pubertetit kur ishte vetëm 10 muajshe.
Ndryshimin e vuri re një punonjëse e shëndetësisë gjatë një vizite, ndërsa e ëma, Sophie Dumas, fillimisht nuk kishte dyshuar se zhvillimi i vajzës mund të lidhej me një gjendje hormonale.
Pas një sërë analizash, mjekët e diagnostikuan Sienën me pubertet të parakohshëm qendror, një gjendje në të cilën truri nis shumë herët të dërgojë sinjalet hormonale që shkaktojnë pubertetin.
Vajza iu nënshtrua analizave të gjakut, kontrolleve për të përcaktuar moshën e kockave dhe një rezonance magnetike.
Kjo e fundit nuk tregoi ndonjë problem në tru që mund të shpjegonte gjendjen e saj.
Sot, Siena merr një injeksion çdo katër javë për të frenuar zhvillimin e parakohshëm hormonal.
Sipas planit të trajtimit të përshkruar nga familja, injeksionet mund të vazhdojnë deri kur ajo të jetë rreth 11 ose 12 vjeçe, në varësi të zhvillimit dhe moshës së kockave.
E ëma thotë se shqetësohet si për rritjen fizike, ashtu edhe për ndikimin emocional te vajza.
Siena ka përjetuar tashmë ngacmime nga fëmijë të tjerë në shkollë për shkak të ndryshimeve në pamjen e saj.
Sophie po shqyrton edhe mundësinë e ruajtjes së vezëve për të ardhmen, nga frika se gjendja mund të ndikojë te fertiliteti i së bijës. Ende nuk është marrë një vendim për këtë procedurë./Versus.al




