Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në aksin rrugor Prishtinë-Ferizaj, ku si pasojë e ngjarjes kanë mbetur të plagosur tre persona.
Sipas informacioneve paraprake, dy prej të plagosurve kanë marrë dëmtime nga arma e zjarrit, ndërsa personi i tretë është lënduar me mjet të mprehtë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, bëri me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit.
Të tre personat e plagosur janë dërguar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa nuk janë bërë ende të ditura detaje të tjera lidhur me autorët apo motivin e konfliktit.

