Eric Wendt, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarisht, sot nisi misionin diplomatik në Tiranë. Në orën 11:00, shkoi në Pallatin e Brigadave ku i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Ceremonia i parapriu një takimi mes tyre.
Misionin diplomatik në vendin tonë, ish-gjenerali Wendt e fillon si i dërguar i presidentit Donald Trump. Kjo pas një periudhe mbi 3 vjeçare, gjatë të cilës Uashingtoni hasi vështirësi në Senat për të sjellë një ambasador, që nga mbarimi i mandatit të Yuri Kim-it, në qershor 2023.
Dje në aeroportin e Rinasit, u prit nga drejtuesit e Protokollit të Shtetit dhe nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy Van Horn.
Avancimi i interesave amerikane, mbështetja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ishin ndër përparësitë kryesore që diplomati i Uashingtonit renditi në dëgjesën e 20 majit në Senat, para se të merrte detyrën.
Në agjendën e ditëve të para të mandatit janë edhe takimet me drejtuesit e institucioneve shqiptare.
Të mërkurën, ambasadori Eric Wendt pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Më 2 tetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë do të organizojë ceremoninë zyrtare të prezantimit të ambasadorit të ri, me eksperiencë të gjatë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.