
Mëngjesin e sotëm, Eric Wendt mbërriti në Pallatin e Brigadave, ku i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, për të nisur zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Ambasadori i ri mbërriti një ditë më parë në aeroportin e Rinasit.
Ai u prit nga drejtues të Protokollit të Shtetit dhe përfaqësues të ambasadës.
Të mërkurën parashikohet që ai të zhvillojë takimin e parë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme me ministrin Ferit Hoxha.
Ndërsa të premten, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri.
Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Wendt paraqiti katër prioritete për mandatin e tij:
mbrojtjen e qytetarëve dhe interesave amerikane, mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, si dhe nxitjen e marrëdhënieve ekonomike e tregtare.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e stafit të ambasadës në përmbushjen e këtyre objektivave.
Ish-gjenerali nis misionin diplomatik në Shqipëri pas një periudhe rreth trevjeçare pa ambasador amerikan në Tiranë, që prej përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.

