Detaje nga atentati në Athinë, urdhri u dha nga koka e klanit ‘Mafia e Burgjeve’!

Aktualitet

Publikuar: 26/09/2026

Detaje nga atentati në Athinë, urdhri u dha nga koka e klanit ‘Mafia e Burgjeve’!

Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare u plagos gjatë një sulmi me armë ndaj lokalit të babait të saj në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës.

E mitura ndodhej brenda kafenesë në momentin kur persona që lëviznin me një makinë hapën zjarr drejt fasadës.

E mitura është vajza e pronarit të lokalit, Denis Luli, 30-vjeç.

Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga mediat greke, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan pa zbritur prej tij dhe më pas u larguan.

Në lokal ndodheshin edhe rreth dhjetë klientë.

Nga hetimet e para dyshohet se urdhri për atentatin është dhënë nga burgu, prej Klodian Lekocaj, një emër shumë i njohur për policinë greke.

Ende nuk dihet se kush ishte shënjestra dhe cilat ishin arsyet e konfliktit.

Por kush është Klodian Lekocaj?

Klod Cara, alias Klodian Lekocaj, 49 vjeç, një personazh kontrovers, është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga mediat greke si kreu i së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai, në daljet publike në media, e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm” dhe “të përdorur”.

Ndërkohë, faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke, sipas raportimeve, të çojnë drejt dyshimit se Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Lekocaj, në disa përgjime dhe dëshmi, është përmendur për lidhje me grupe kriminale, duke vënë në dispozicion të tyre ose të vetes persona të dyshuar si vrasës me pagesë. I tillë ishte edhe rasti i 14 shtatorit 2022, kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala, 39 vjeç, dhe Andi Beqiri, 23 vjeç. Ata u kapën në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura dy kallashnikovë dhe një thikë, ndërsa në banesë u gjet një pistoletë.

Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe i tentativës për vrasjen e një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022.

Për vrasjen e grekut, ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kështu, “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia”, iu shtua atëherë edhe një akuzë tjetër, pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako dhe të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobëvënie ndaj ish-ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj.

Lekocaj, në fakt, përveç urdhrave, ka precedentë edhe si autor i drejtpërdrejtë. Fillimisht është arrestuar në vitin 1997 për vjedhje. Në vitin 2003 ishte arratisur nga burgu i Volosit, ndërsa në vitin 2005, në Agios Panteleimonas, plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar. Më pas, në të njëjtin vend, në vitin 2006, bashkë me dy shqiptarë, plagosi me thikë një bashkëkombas të tij.