Tragjedi në Athinë, 6 viktima pas shembjes së ndërtesës, mes tyre 3 shqiptarë! Humbin jetën motër e vëlla
Gjashtë persona kanë humbur jetën pas shembjes së një ndërtese në zonën e Plakës në Athinë, mëngjesin e së premtes, 25 shtator.
Operacioni i kërkim-shpëtimit përfundoi të shtunën pasdite, rreth orës 14:00 (me kohën lokale), kur ekipet e shpëtimit lokalizuan dy trupat e fundit nën rrënoja. Kështu, bilanci i viktimave të tragjedisë shkon në gjashtë.
Trupi i parë, një grua, u nxor nga rrënojat pak pas orës 02:00 të së shtunës. Mëngjesin e së njëjtës ditë u gjet trupi i një 77-vjeçari britanik, ndërsa gjatë mesditës ekipet e shpëtimit lokalizuan edhe katër viktima të tjera.
Sipas informacioneve të raportuara nga autoritetet dhe mediave greke, tre prej personave që ndodheshin në ndërtesë ishin me origjinë shqiptare dhe kishin shtetësi amerikane. Ata dyshohet se jetonin në katin e dytë të godinës, ku banonte një çift i moshuar.
Shqiptarët që humbën jetën janë identifikuar si Florida Hoxha dhe Florin Hoxha, motër e vëlla si dhe bashkëshortja e Florinit, Eris Cani.
Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve greke, shpërthimi dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit natyror.
Megjithatë, shkaqet e sakta të shpërthimit dhe rrethanat që çuan në shembjen e godinës mbeten nën hetim.




